Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili dje u votua unanimisht nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje si mandatar për formimin e qeverisë së re, në fjalimin e tij tëgjatë foli edhe për aspektin e sigurisë, ku tha se për ushtrinë do të ndahen mbi 1 miliard euro brenda mandatit të ardhshëm dhe paralajmëroi zhvillimin e dronëve ushtarakë “Made in Kosova” .
Ai tha se do të funksionalizohet Fabrika e Municioneve, si dhe do të krijohet Njësia ushtarake e përbashkët me Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
“Për ushtrinë tonë në katër vitet e mandatit të ardhshëm do të ndajmë buxhet mbi 1 miliardë euro. Do të thellojmë dhe zgjerojmë bashkëpunimin ndërkombëtar bilateral dhe multilateral me shtetet anëtare të NATO-s. Funksionalizimin e Fabrikës së Municioneve dhe zhvillimi i industrisë ushtarake të Kosovës. E gjithashtu do të zhvillojmë dronët ushtarakë “Made in Kosova””, ka deklaruar Kurti.
