Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ritheksuar rëndësinë e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bashkëpunimit me NATO-n, duke i cilësuar ato si prioritete afatgjata të politikës së jashtme të Kosovës. Ai i bëri këto deklarata në hapjen e edicionit të 12-të të Shkollës Diplomatike për diplomatët e rinj, ku foli edhe për integrimin evropian, sigurinë ndërkombëtare dhe sfidat me të cilat përballet Ballkani Perëndimor.
Në fjalën e tij, kryeministri Albin Kurti tha se ky program, i cili organizohet prej më shumë se një dekade, u ka ofruar diplomatëve të rinj mundësi për shkëmbim idesh dhe krijimin e lidhjeve ndërkombëtare.
“Për më shumë se një dekadë, ky program ka ofruar një hapësirë të rëndësishme për diplomatët e rinj nga e gjithë bota, që të mblidhen së bashku, të shkëmbejnë ide dhe të ndërtojnë lidhje drejt një të ardhmeje të përbashkët, me mirëkuptim dhe bashkëpunim më të madh”, tha Kurti.
Ai vlerësoi se organizimi i programit për 12 vjet radhazi dëshmon interesimin dhe përkushtimin e një brezi të ri diplomatësh për t’u përballur me sfidat globale.
Sipas Kurtit, Kosova është një vend i përshtatshëm për zhvillimin e këtij shkëmbimi, pasi çështje si paqja dhe siguria, sovraniteti, zhvillimi, të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit dhe e drejta ndërkombëtare kanë qenë pjesë e përvojës së saj si shtet.




