Gjatë vizitës zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Konferencën e Londrës për Mbrojtje.
Siç bëhet e ditur nëpërmjet një komunikate nga Zyra e Kryeministrit, duke folur për luftën hibride, Kurti ka thënë se ajo nuk është zëvendësim i luftës klasike por vetëm fazë përgatitore për të. Ai ka shtuar se ajo është bërë normë kudo dhe se në ditët e sotme është lajm nëse nuk ka luftë hibride në ndonjë rund zgjedhjesh, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Kryeministri tha se është e rëndësishme që të ndërtohet qëndrueshmëri dhe adaptueshmëri në raport me këtë sfidë.
Ai foli edhe për ndikimet në Ballkanin Perëndimor.
“Nuk ka arsye për shumë relaksim, si të thuash, sepse Serbia është një ‘proxy’ i Rusisë dhe atje janë 48 baza të përparme operacionale përreth kufirit të shtetit tim. Të gjitha janë në atë që quhet zonë e sigurisë e NATO-s. Kremlini ka një zyrë brenda Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë, në Beograd dhe Qendrat Rajonale të Russia Today dhe Sputnik për Ballkan janë në Serbi”, tha ai.
