Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, vizituan Inspektoratin Policor të Kosovës, ku u pritën nga Kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj.
Në fjalën e tij, kryeministri tha se viteve të fundit IPK-ja ka rritur ndjeshëm efikasitetin në trajtimin e ankesave të qytetarëve, duke u shndërruar në një adresë të besueshme institucionale për çdo shqetësim ndaj veprimeve të Policisë së Kosovës.
“Një IPK e fortë do të thotë një polici më e pastër. Një polici më e pastër do të thotë një shtet më i drejtë dhe një shtet më i drejtë do të thotë më shumë besim për qytetarët”, tha Kurti raporton “Gazeta Blic”.Kryeministri Kurti theksoi se Inspektorati Policor i Kosovës e ka forcuar praninë institucionale në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe katër komunat në veri të vendit, duke rritur qasjen, besimin dhe barazinë institucionale për të gjithë qytetarët. Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, vuri në dukje se Inspektorati Policor i Kosovës, si institucion, ka rol të drejtpërdrejtë në forcimin e besimit të qytetarëve në Policinë e Kosovës dhe në funksionimin e shtetit të së drejtës, duke siguruar që çdo shkelje e ligjit të trajtohet me profesionalizëm dhe paanshmëri.“Gjatë viteve të fundit, kemi punuar së bashku që IPK të shënojë rezultate të rëndësishme në përmbushjen e mandatit të tij ligjor. Janë trajtuar mijëra ankesa të qytetarëve, janë zhvilluar hetime profesionale dhe janë ndërmarrë masa konkrete disiplinore dhe penale ndaj rasteve të shkeljeve brenda radhëve të Policisë së Kosovës”, theksoi në fjalën e tij ministri Sveçla.
