Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, zëvendëskryeministren në detyrë, Donika Gërvalla, deputetë të Kuvendit dhe bashkëpunëtorë, bëri homazhe në 36-vjetorin e rënies së dëshmorëve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, në varrezat e dëshmorëve në lagjen Velania, Prishtinë.
Kurti theksoi se rënia e tyre “zgjoji ndërgjegjen kombëtare në nivele të larta” dhe sensibilizoi opinionin publik ndërkombëtar se në Kosovë ka një popull që nuk nënshtrohet dhe që do të rezistojë deri në lirinë për veten e tij.
“Është tejet interesante se si rënia heroike e Afrimit dhe Fahriut i ngjanë aq shumë rënies heroike 5 vjet më parë të Rexhep Malës e të Nuhi Berishës. Fahriu e Afrimi në ‘Breg të Diellit’, ndërkaq, Rexhepi e Nuhiu në ‘Kodër të Trimave’. Të dy luftuan deri në fund, ndërkaq, më 2 nëntor të vitit 1989, në bllokun e III-të, në hyrjen e III-të, aty ku kishin bazën e tyre ilegale, Fahriu e Afrimi luftuan për më shumë se 6 orë, dhe kjo tregon çfarë luftëtarësh të paepur kanë qenë ata .”, tha Kurti.
