Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se fqinji i Kosovës, Serbia po vazhdon me përndjekjen e qytetarëve serbë në veri të cilët nuk po i bindën urdhrave të Vuciqit. Kurti i ka kërkuar BE-së dhe NATO-së të sanksionohet Serbia pasi që ka ide hegjemoniste dhe përbën kërcënim për Ballkanin. Shefi në detyrë i qeverisë, i ka bërë thirrje edhe serbëve në veri për bashkëpunim me institucionet e Republikës së Kosovës.
Pas rastit të rrëmbimit dhe plagosjes së një qytetari serb me shtetësi kosovare, që dyshohet të ketë ndodhur nga xhandarmëria serbe brenda kufirit të Kosovës, në Leposaviq, ka folur kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Në një deklaratë për Tëvë1, shefi në detyrë i qeverisë thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka nisur përndjekjen e serbëve të integruar në institucionet e Kosovës.
“Fqinji ynë veriorë, përveç se është agresor është edhe agresiv. Vazhdimisht bën sulme, kërcënime e provokime. Së fundmi është e qartë që Serbia është dorëzuar para Republikës së Kosovës, dhe para shqiptarëve. Ajo tash i ka në shënjestër serbët të cilët janë integruar në Kosovë, që punojnë për të mirën e komunitetit serb, dhe të cilët nuk i kanë librezat e partisë së presidentit të Serbisë, Vuciq atje”, deklaroi ai.
Sipas tij, Serbia është drejtuar kah Kremlini, e jo Evropa ashtu siç është rreshtuar Kosova.
“Kosova dhe Serbia dy shtete fqinje, Kosova është shtet demokratik, me paqe e siguri, me ligjshmëri dhe rend publik, ndërkaq Serbia është shtet autokratik, armiqësor i orintuar kah veri-lindja pra nga Kremlini, dhe gjishatu me aspirata ekspazioniste e hegjemoniste në Ballkan. Ne jemi të orientuar kah Perëndimi kah Bashkimi Evropian dhe NATO-ja”, deklaroi Kurti.
