Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka deklaruar se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ndodhet në një moment historik transformimi.
Përmes një postimi në Facebook, ai tha se që nga 19 dhjetori i vitit të kaluar, KEK-u është duke prodhuar me kapacitetin maksimal të saj, me 5 njësi gjeneruese.
“Korporata Energjetike e Kosovës ndodhet në një moment historik transformimi. Investimet tejkalojnë 500 milionë euro, për ta bërë këtë ndërmarrje moderne, të qëndrueshme dhe në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Evropian”.
“Që nga 19 dhjetor i vitit që sapo lamë pas, KEK-u është duke prodhuar me kapacitetin maksimal të saj, me 5 njësi gjeneruese, në mënyrë që të kontribuojë në sigurinë e furnizimit në këto ditë të ftohta fundvitit dhe fillimvitit kur konsumi është i lartë”, ka shkruar Kurti.
Pos tjerash, Kurti theksoi se: “KEK-u sot po forcon themelet e energjisë së të ardhmes: një KEK më i fortë, më modern, më i sigurt dhe më i gjelbër, në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe të brezave që vijnë”.
