Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një emërim të ri në Zyrën e Kryeministrit, duke nominuar Arlind Manxhukën si Zëdhënës të Qeverisë.
Ky ndryshim shënon një kalim nga funksioni partiak në detyrën shtetërore për Manxhukën, i cili tashmë ka shërbyer si Këshilltar Politik i Kryeministrit.
Në vendimin e nënshkruar nga Kryeministri, që është siguruar nga Demokracia.com, thuhet se Manxhuka do të përmbushë detyrat dhe përgjegjësitë që i përcakton Ligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës, si dhe do të marrë përsipër detyra shtesë të caktuara nga Kryeministri.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, në mbështetje të nenit 94 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke u bazuar në nenin 9 (1.3), nenin 13 (2 dhe 5) dhe nenin 17 (2) të Ligjit Nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, si dhe nenin 24 (1) të Rregullores (QRK) Nr.04/2026 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Ministrive, nxjerr: Z. Arlind Manxhuka emërohet Zëdhënës i Qeverisë, i cili njëkohësisht është Këshilltar Politik i Kryeministrit”, thuhet në vendimin e qeverisë.
Zëdhënësi i Qeverisë është i obliguar të bëjë deklarimin e pasurisë, në pajtim me Ligjin Nr. 08/L-108 për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave.
