Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se stërvitjet e ushtrisë serbe me helikopterë dhe parashutistë disa metra larg kufirit me Kosovën, sipas tij, përbëjnë shfaqje të rrezikshme të agresionit.
Në mbledhjen e pestë të qeverisë, Kurti tha se kjo shfaqje bëhet edhe më e rrezikshme kur kuptohet se njësia që po ushtronte afër Kosovës, siç tha shefi i qeverisë, është e njëjta që ka trajnuar kryekriminelin Milan Radoiçiq.
“Jemi thellësisht të shqetësuar me demonstrimin e pajustifikueshëm ushtarak të Serbisë, me helikopterë e parashutistë në zonat e banuara me shqiptarë në komunën e Bujanocit, fare pranë kufirit me Republikën e Kosovës”.
“Një shfaqje e tillë e forcës ushtarake mbi shtëpi, shkolla, qendra të mjekësisë, përbën jo vetëm trysni, nxitje tensioni dhe përpjekje për t’i frikësuar banorët atje, e cila ka vite që po përballet me spastrim etnik administrativ nga regjimi autokrat në Serbi, por tregon edhe një provokim të hapur ndaj shtetit tonë të pavarur”, u shpreh ai.
