Ka nisur seanca për miratimin e Qeverisë “Kurti 3”. Albin Kurti ka theksuar se vonesa më shumë se gjashtëmuajshe ka penguar punët shtetërore dhe marrëveshjet ndërkombëtare, ndërsa ka treguar se asnjë parti nuk ka pranuar të hyjë në koalicion.
“Sot, mbi 6 muaj që prej thirrjes së seancës konstituive, me në fund kemi Kuvend të konstituuar dhe kemi arritur në pikën e formimit të Qeverisë. Kjo është një vonesë e paprecedentë në historinë e Republikës. Kjo vonesë ka ndikuar në mbarëvajtjen e punëve shtetërore, janë vonuar marrëveshjet ndërkombëtare, plani i rritjes me BE, proceset e reformave dhe është lënduar besueshmëria e shtetit tonë para partnerëve ndërkombëtarë”.
“Në këto 6 muaj, përpjekjet për formimin e një shumice qeverisëse nuk dhanë rezultat, përkundër tentimeve tona të disahershme e shterruese. Asnjëra nga partitë parlamentare të cilave u bë ftesa nuk ka pranuar të hyjë në marrëveshje bashkëqeverisëse”, ka deklaruar Kurti.
