Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se Ministria e Mbrojtjes nuk ka pasur asnjë përfshirje në testimin, vlerësimin apo dhënien e lejeve për dronin e njohur si “Skifteri”, pas diskutimeve dhe interesimit publik për këtë çështje.
Maqedonci sqaroi se Ministria kishte organizuar një aktivitet për vlerësimin e inovatorëve të dronëve në Kosovë, por se ky aktivitet nuk kishte të bënte me dronin në fjalë.
“Ne gjatë muajit tetor të vitit të kaluar, së bashku me Odën Ekonomike Amerikane dhe Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, kemi organizuar një aktivitet të vlerësimit të inovatorëve të mundshëm në Kosovë”, tha ai.
Sipas ministrit, vlerësimi kishte të bënte me dronë të vegjël me helika dhe jo me dronë me krahë, siç është prezantuar “Skifteri”.
“Ne nuk kemi bërë në asnjë rast asnjë vlerësim të një droni të quajtur Skifter”, deklaroi Maqedonci.
Ai theksoi se Ministria e Mbrojtjes nuk ka qenë e përfshirë në asnjë fazë të këtij projekti.
