Kryeministri Albin Kurti u tregua dorëlirë së fundi me komunitetin serb duke i pranuar letërnjoftimet e lëshuara nga Serbia si kompromis që e arriti për të nisur zbatimi i ligjit për të huajt dhe ai për automjete. Koncensionet e bëra u duartrokitën nga partnerët ndërkombëtarë. Në këtë kontekst, Kurti po flet edhe për inkorporimin e shëndetësisë dhe arsimit, aktualisht nën sistemin paralel serb, brenda kornizës ligjore të Kosovës. Por, këtu ai s’po e përmend Asociacionin.
Pika më e nxehtë e marrëveshjeve Kosovë-Serbi që u arritën në dialogun e Brukselit ka nisur të mos përmendet më nga kryeministri Albin Kurti. Në vend të Asociacionit të komunave më shumicë serbe, i cili parashihej që të zgjidhë mënyrën e funksionimit të shëndetësisë dhe arsimit te komuniteti serb, Kurti po e përmend më shpesh zotimin e tij se do të integrojë brenda sistemit të Kosovës arsimin dhe shëndetësinë.
“Do të bëjmë inkorporimin e të gjitha strukturave të cilat janë në sistemin e shëndetësisë dhe arsimit. Ju e dini që strukturat e tjera ilegale të Serbisë sikurse ato të sigurisë, të financave, të administrimit nuk ekzistojnë më. Kanë ngelur edhe arsimi dhe shëndetësia dhe ato do t’i inkorporojmë”, iu dje Kurti gazetarëve të cilët i kërkuan koment për marrëveshjen e fundit me BE-në.
Mbi këtë përpjekje të tij, Kurti iu kishte folur edhe ambasadorëve të huaj në vend, të cilët i mblodhi në janar për zbatimin e ligjit për të huajt dhe atij për automjete.
Aty Kurti kishte folur mbi “domosdoshmërinë e fillimit të integrimit gradual të sistemeve të shëndetësisë dhe arsimit, si pjesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe afatgjate”, duke shtuar se ky proces integrues do të bëhej në koordinim me Bashkimin Europian dhe duke siguruar që “brengat dhe këshillat e komunitetit joshumicë serb në Kosovë merren në konsideratë”.
Për mospërmendjen më të Asociacionit nga Kurti, themelimin e të cilit e dakordoi edhe vetë në Marrëveshjen e Ohrit, Express ka pyetur Brukselin nëse ky zotim do të vazhdojë t’i kërkohet Kosovës.
Një zëdhënës i Bashkimit Europian në përgjigje tha se marrëveshja e fundit është tregues që dialogu i udhëhequr nga Brukseli po vazhdon të japë rezultate dhe se ai duhet të jetë në përputhje me të gjitha “marrëveshjet përkatëse” të këtij procesi.
“Siç tha Përfaqësuesja e Lartë: “Marrëveshja për regjistrimin civil dhe Ligji për të Huajt në Kosovë shënojnë një hap të rëndësishëm përpara. Është thelbësore të sigurohet vazhdimësia në ofrimin e shërbimeve publike”. Kjo gjithashtu tregon se dialogu i lehtësuar nga BE-ja vazhdon të japë rezultate praktike për njerëzit në Kosovë dhe Serbi. Ai duhet të jetë plotësisht në përputhje me të gjitha marrëveshjet përkatëse të dialogut, në koordinim të ngushtë me serbët e Kosovës dhe përfaqësuesit e tyre, si dhe me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun”, tha ai.
