Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka mbajtur fjalim në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë, pasi u nominua kandidat për kryeministër për zgjedhjet e 7 qershorit.
Kurti tha se përmbushja e misionit politik të Lëvizjes Vetëvendosje është detyrim historik ndaj Kosovës dhe kombit shqiptar.
“Është një detyrim historik ky që kam ndaj jush, është një detyrim që ne e kemi ndaj gjithë kombit shqiptar dhe ndaj Republikës sonë. Këtë detyrë do ta përmbushim e s’na ndal dot askush, sepse sytë, veshët, mendjen, zemrën i kemi të përqendruar te qëllimi ynë më sublim: përparimi i kombit tonë. Pa mbështetjen tuaj të qëndrueshme dhe masive nga çdo fshat e nga çdo qytet, nga çdo lagje e nga çdo familje, nga brenda vendit e nga diaspora, ne nuk do të mundeshim t’i kapërcenim vështirësitë e mëdha shoqërore e historike të cilat na janë shfaqur në të shkuarën tonë. Por me ndihmën tuaj, me bashkëpunim, me bashkëveprim të sinqertë me të gjithë ju, me sakrificë e me punë pa u dorëzuar asnjëherë, jam i sigurt se ne do të tejkalojmë çdo pengesë e çdo sfidë”, tha ai.
Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje po hyn në një tjetër fushatë zgjedhore e papërkulur përballë kundërshtarëve politikë.
“Jemi në një tjetër fushatë, në prag të saj formalisht, në një tjetër ballafaqim me të kaluarën apo përfaqësitë e saj që nuk do të vdesin kurrë siç duket pa u përpjekur edhe një herë të na marrin frymën. Por ja që ne jemi këtu të pathyer, më të fortë se kurrë, me duar të pastra e me ballëhapur”,u shpreh Kurti.
