Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, i dorëzuar në dhjetor të vitit 2022, vazhdon të mbetet i pashqyrtuar nga Këshilli edhe pas 40 muajsh.
Ai e cilësoi këtë vonesë si një çështje që kërkon vëmendje, duke theksuar se Kosova, sipas tij, përmbush standarde të rëndësishme si demokraci funksionale, rritje ekonomike dhe përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.
Në këtë kontekst, Kurti tha se Qeveria ka themeluar Komitetin Ekzekutiv për anëtarësim në BE, me qëllim të rritjes së koordinimit ndërinstitucional dhe përshpejtimit të procesit integrues. Ai bëri të ditur gjithashtu se kryenegociatori është autorizuar të krijojë task forca të specializuara, duke nisur me atë për sigurimin e statusit të vendit kandidat.
Postimi i plotë:
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në mesin e dhjetorit të vitit 2022.
Me 15 prill të këtij viti u bënë 40 muaj që aplikimi ynë mbetet i pashqyrtuar nga Këshilli.
Kosova është demokracia më e avancuar e rajonit, me mesataren më të lartë të rritjes ekonomike dhe e rreshtuar plotësisht me vlerat dhe politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian.
