Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu ka analizuar situatën e krijuar të martën në Kuvendin e Kosovës lidhur me votimin për nënkryetarët e Kuvendit nga radhët e pakicave.
Kryeziu në një postim në Facebook shkruan se Lista serbe nuk ka veto bllokuese në konstituimin e Kuvendit dhe se nominimi, në bazë të shortit, i kandidatit Nenad Rashiq është i ligjshëm.
Lexoni t ë plotë, pa ndërhyrje postimin e Kryeziut:
Meqenëse kushtetuta nuk merret fare me pjesën procedurale se si duhet të nominohen dhe të zgjidhen nënkryetarët e Kuvendit, kjo çështje është rregulluar me Rregullore të Kuvendit. Është shumë e rëndësishme të theksohet që Rregullorja e punës së Kuvendit të Kosovës është shkruar në hijen e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, ku në mënyrë eksplicite thuhet që Kuvendi nuk konsiderohet i konstituar pa u zgjedhur edhe të gjithë nënkryetarët.
Hartuesit e nenit 12 të Rregullores së punës së Kuvendit, në pikat 4 dhe 6 të nenit 12 të rregullores (shihni foton), duke respektuar logjikën bazë të demokracisë, e kanë njohur të drejtën e grupit më të madh të deputetëve serb që ta propozojnë kandidatin për nënkryetar. Por, të vetëdijshëm që, për arsye nga më të ndryshmet, ndër të tjera edhe për qëllim të bllokimit të procesit të konstituimit të Kuvendit, kjo e drejtë mund të keqpërdorej, hartuesit e kanë shtuar pikën 7 të nenit 12 (shihni foton). Pra, në situatën kur shumica e deputetëve serb të refuzojë të propozojë një kandidatë, me çka efektivisht e bllokojnë konstituimin e Kuvendit, Kryetari i Kuvendit e merr situatën nën kontroll dhe, në bazë të shortit, hedh emra kandidatësh në votim, pra e zhbllokon konstituimin e Kuvendit.
Kjo që lexuar më sipër ka qenë qëllimi i hartuesve të rregullores, të cilët në asnjë mënyrë nuk kanë dashur që deputetëve të pakicave t’u lejojnë fuqi bllokuese në procesin e konstituimit. Por, me rastin e votimit për kandidatin Nenad Rashiq, i zgjedhur me short sipas procedurës së paraparë në pikën 7 të nenit 12 të rregullores, ky qëllim patriotik i hartuesve të rregullores u injorua nga PDK dhe LDK. Dhe kjo për mua është tërësisht misterioze dhe e pakuptimtë.
Sa i përket pohimit që është bërë shkelje procedurale, sepse kandidati serb dhe kandidati nga komunitetet tjera jo shumicë nuk janë hedhur në votim së bashku, kjo nuk ka bazë në rregullore. Rregullorja nuk merret fare me çështjen nëse kandidatët për nënkryetar hidhen në votim së bashku apo veçmas. Praktikat e mëhershme parlamentare nuk përbëjnë normë juridike.
Edhe njëherë faktet kryesore juridike:
1. Neni 67 i kushtetutës nuk merret fare pjesën procedurale të zgjedhjes së nënkryetarëve.