Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka deklaruar se Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka dështuar në paralajmërimin e institucioneve komunale për vërshimet e sotme, duke theksuar se komuna nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar paraprak për reshjet e mëdha.
Rahoveci është prej komunave më të goditura nga reshjet e sotme në Kosovë. Gjithashtu, Malisheva e Drenasi kanë raportuar për dëme të mëdha.
“S’kemi qenë fare të informuar. Mendoj që IHMK-ja ka dështuar. Nuk kemi pasur asnjë raport zyrtar prej tyre, siç zakonisht duhet të veprojnë. Na kanë thënë se po punojnë me staf të reduktuar për shkak të festave të fundvitit”, ka thënë Latifi në emisionin “60 Minuta” të KTV-së të martën.
Sipas tij, askush nuk e ka ditur se do të ketë potencial kaq të madh të reshjeve, ndërsa paralajmërimi i parë nga IHMK-ja ka ardhur vetëm sot, përmes një emaili, ku thuhet se edhe dy ditët në vijim do të ketë reshje dhe se institucionet duhet të jenë në gatishmëri.
Latifi ka bërë të ditur se situata më e rëndë ka qenë nga mesnata deri rreth orës 11:00, kur ekipet komunale, policia, zjarrfikësit dhe operatorë të ndryshëm kanë qenë në terren për të menaxhuar situatën dhe për të minimizuar pasojat nga vërshimet në amvisëri, toka bujqësore dhe infrastrukturë rrugore.
