Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka zhvilluar takim me u.d. Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, z. Dren Paca pas marrjes së detyrës, me ç’rast i ka uruar punë të mbarë dhe suksese.

Në këtë takim, Kryeprokurori i Shtetit dhe u.d. Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale u dakorduan të intensifikojnë përpjekjet e përbashkëta institucionale në luftimin e pakompromis të korrupsionit të nivelit të lartë, krimit të organizuar, terrorizmit, krimeve të luftës dhe të gjitha formave komplekse të kriminalitetit, si dhe të angazhohen maksimalisht në fuqizimin e mëtejmë të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar me partnerët strategjikë të Republikës së Kosovës në luftimin e krimeve transnacionale, të cilat rrezikojnë sigurinë dhe sundimin e ligjit.

Krahas ndjekjes penale, prioritet do të jetë edhe zhvillimi i hetimeve financiare, si dhe gjurmimi, sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive të paligjshme, të cilat janë fituar përmes veprave penale që bien në kompetencë ekskluzive të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, si dhe nevoja për aplikim efektiv të Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara të Konfiskimit të Pasurisë.