Kryeministri i Uellsit të Ri Jugor, Chris Minns, ka deklaruar se autoritetet australiane kanë nisur një hetim të gjerë dhe kompleks pas një sulmi të rëndë që kishte në shënjestër komunitetin hebre të Sidneit, në ditën e parë të festës së Hanukës, përcjell Reporteri.net.
Minns theksoi se hetimi është vetëm në fazat fillestare dhe pritet të jetë i gjatë, për shkak të natyrës së ndërlikuar të rastit. Sipas tij, sulmi ishte i planifikuar dhe i qëllimshëm, me synim goditjen e komunitetit hebre në një ditë me rëndësi të veçantë fetare.
“Hetimi sapo ka filluar dhe do të jetë masiv dhe kompleks,” u shpreh kryeministri, duke shtuar se autoritetet e sigurisë janë duke punuar intensivisht për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe për të vënë para drejtësisë personat përgjegjës.
