Kroacia ka asgjësuar 147 kuintalë, ose 14 tonë e 700 kilogramë, speca të kuq me origjinë nga Fieri.
Vendimi për groposjen e produktit shqiptar erdhi pas rezultateve të analizave, të cilat treguan se specat e kuq kishin ngarkesë të lartë me fungicidin proquinazid, në një nivel prej 0.050 mg/kg.
Sipas të dhënave të sistemit RASFF, prodhimi shqiptar rezultoi i ngarkuar me lëndën aktive proquinazid, ndërkohë që për këtë substancë niveli i lejuar i pranisë në speca është zero.
Proquinazidi, sipas listës së produkteve për mbrojtjen e bimëve të miratuara nga Ministria e Bujqësisë, tregtohet në Shqipëri me emrin Talendo, me vlefshmëri regjistrimi dhe tregtimi deri në fund të vitit 2028.
Burime për gazetaren Rudina Muça nga Top Channel bëjnë me dije se proquinazidi nuk është i ndaluar për t’u shitur, por përdorimi i tij në mënyrë kategorike nuk lejohet në perime. Lënda aktive proquinazid është e autorizuar për përdorim në kulturat e rrushit, për luftimin e sëmundjeve kërpudhore, veçanërisht të mykut pluhur.
Prania e kësaj substance në specat e kuq ngre dyshime të forta se fermeri shqiptar e ka përdorur një preparat të destinuar për vreshtat në kultivimin e perimeve.
Fermeri, por edhe specialistët apo agronomët që këshillojnë përdorimin e produkteve për mbrojtjen e bimëve, mund të kenë aplikuar një preparat të papërshtatshëm në kulturën e specit. Në përpjekje për të mbrojtur prodhimin dhe për të kapur në kohë tregun, përdorimi i një produkti të gabuar mund të ketë sjellë mbetje të larta të pesticidit në produktin final.

