Kryeshefi Ekzekutiv i KRM Pastrimit, Petrit Reçica, ka njoftuar se ekipet e kompanisë kanë filluar heqjen e mbeturinave inerte dhe të vëllimshme, të cilat, sipas tij, po hidhen në mënyrë të paligjshme në kontejnerët e amvisërisë, në lagje dhe hapësira publike në të gjithë territorin e Prishtinës.
“Po i largojmë mbeturinat inerte dhe vëllimore që po hidhen padrejtësisht në kontejnerët e amvisërisë, në lagje dhe në hapësira publike në të gjitha lagjet e Prishtinës”, ka shkruar Reçica.
Ai ka dërguar një mesazh paralajmërues për qytetarët dhe bizneset që hedhin mbeturina në mënyrë të paligjshme, duke theksuar se këto veprime përbëjnë shkelje ligjore.
“Të hedhësh mbetje si copa sfungjeri, lëkure, tekstili, apo mbetje nga restorante peshku dhe kasapë mishi në kontejnerët e dedikuar për amvisëri është shkelje e ligjit dhe së shpejti do të dënohen me gjobë”, ka theksuar ai.
