Diaspora e Kosovës shihet si një burim i madh kapitali për zhvillimin ekonomik të vendit. Megjithatë, Dritarja e Investimeve, e krijuar për t’i mbështetur investimet e saj, po përballet njëkohësisht me histori suksesi dhe me sfida të dukshme.
Kompania ReachteQ LLC në Kosovë është një nga 19 bizneset e diasporës që kanë përfituar mbështetje nga Dritarja për Investimet e Diasporës.
Kjo nismë, e lansuar në korrik të vitit 2024, nga Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Fondin Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) dhe Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), ka për qëllim nxitjen e investimeve të diasporës në vend.
Erblin Lekaj, bashkëthemelues i kompanisë, i rritur në Gjermani, thotë se Dritarja për Investimet e Diasporës ka qenë vendimtare për zhvillimin dhe ngritjen e biznesit të tij prodhues, të nisur pak më shumë se një vit më parë.
Kompania e tij merret me dizajnimin, prodhimin dhe shitjen e veglave që garantojnë kushte më të sigurta pune në sektorin e ndërtimtarisë.
Falë garancisë së FKGK-së, Lekaj thotë se kompania e tij ka siguruar një kredi trevjeçare në një bankë komerciale në Kosovë, pa pasur nevojë të vendosë kapital privat si garanci.
“Ne kemi një zyrë në Prishtinë, por kemi një kompani partnere prodhuese në Kosovë dhe kemi rritur kapacitetet. Nga muaji tetor do të shtojmë edhe sasinë e prodhimit, ndërsa kompania planifikon ta zgjerojë fabrikën dhe ta rrisë numrin e punëtorëve, në mënyrë që veglat t’i eksportojmë në Gjermani”, thotë Lekaj për Radion Evropa e Lirë.
Pas rritjes së aktivitetit biznesor, Lekaj tregon se muajin e kaluar është kthyer bashkë me familjen e tij për të jetuar në Kosovë.
Përveç kompanisë së tij, edhe 18 biznese të tjera të themeluara nga mërgimtarët kosovarë janë mbështetur me 22 kredi të miratuara nga Dritarja për Investimet e Diasporës.
Deri më tash, sipas FKGK-së, kanë përfituar 19 kompani me vlerë totale të kredive prej 3.8 milionë eurosh, nga të cilat 2.8 milionë janë garantuar nga Fondi.
Investimet më të mëdha janë realizuar në sektorin e akomodimit dhe shërbimeve ushqimore – 1.5 milion euro – pasuar nga industria e prodhimit me 1.2 milion euro.
Në sektorët e tjerë – tregti me shumicë e pakicë, ndërtimtari, aktivitete administrative dhe shërbime të tjera – investimet kanë qenë nën 500 mijë euro secili.
“Kjo iniciativë tregon për potencialin e jashtëzakonshëm që diaspora ka në forcimin e zhvillimit ekonomik të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e FKGK-së për Radion Evropa e Lirë.
Fondi fillestar i zotuar ishte 10 milionë euro: tetë milionë nga Qeveria e Kosovës dhe dy milionë nga FKGK-ja.
Deri më tani, Qeveria ka transferuar tre milionë euro të kontributit të saj, ndërsa FKGK-ja, si zbatuese e projektit, ka ndarë dy milionë euro, duke krijuar një kapital prej pesë milionësh për të mbështetur aktivitetet garantuese.
Pjesa e dytë e fondeve të zotuara nga Qeveria, në vlerë prej pesë milionë eurosh, thonë nga FKGK-ja, do të disbursohet në varësi të nivelit të shfrytëzimit të pjesës së parë të kapitalit, pasi Fondi do të vazhdojë të garantojë kreditë për të gjithë ata që janë të interesuar dhe plotësojnë kriteret e kërkuara.
Dedushaj: Interesim i ulët i diasporës për investime në Kosovë
Naim Dedushaj, nga Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Diasporë, thotë se interesimi nga investitorët e diasporës është i ulët, fillimisht për shkak të situatës globale, por edhe mungesës së koordinimit mes institucioneve të Kosovës për të lehtësuar qasjen në projekt.
Sipas tij, kërkesat për shumë dokumente dhe mungesa e informacioneve të qarta për këtë proces kanë bërë që bizneset të hezitojnë.
Lidhja e Bizneseve Shqiptare të Diasporës operon në 25 shtete me mbi 10 mijë biznese anëtare, por Dedushaj thotë se nuk ka raport zyrtar që ndonjë kompani anëtare të ketë përfituar nga kjo dritare.
“Për shembull, shumë banka nuk kanë ditur t’ua shpjegojnë qartë investitorëve të diasporës procedurat e nevojshme, duke u dhënë kërkesa të përgjithshme e jo specifike. Unë vetë i kam telefonuar disa banka dhe nuk i kam kuptuar saktë kërkesat. Dhe, për këtë arsye, nuk kam mundur ta përcjell informacionin tek investitorët e diasporës”, thotë Dedushaj për Radion Evropa e Lirë.
Lekaj pranon se është përballur me probleme të këtij lloji, por, sipas tij, ato kanë qenë të dukshme vetëm në fazën fillestare të zbatimit të projektit.
Nga FKGK-ja thonë se, vetëm dy muaj pas lansimit, në shtator të 2024-ës, Fondi ka organizuar trajnime informuese për stafin e bankave, i cili do të merrej direkt me klientët e projektit.
