Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki, gjatë diskutimit për raportin e Bashkimit Evropian dhe procesin e integrimit evropian, ka ngritur çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi, duke kritikuar pasivizimin e adresave në Luginën e Preshevës dhe diskriminimin e tyre nga institucionet serbe.
Kraki ka theksuar se raportet vjetore të Bashkimit Evropian duhet të trajtohen me seriozitet, pasi respektimi i të drejtave të njeriut dhe i të drejtave të komuniteteve etnike përbën një nga vlerat themelore të BE-së.
Duke iu drejtuar deputetëve të Listës Serbe, të cilët kishin ngritur shqetësime për të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, Kraki ka kërkuar që në të njëjtin diskutim të merren parasysh edhe gjetjet e raportit të BE-së për Serbinë.
“Nëse ne diskutojmë sot raportin e Kosovës dhe këtu vijnë deputetë të Listës Serbe dhe ankohen për mungesën e të drejtave të tyre në Kosovë, atëherë është e domosdoshme që ta risjellim këtu raportin e të njëjtit komision që flet për Serbinë dhe për të drejtat e shqiptarëve atje”, ka deklaruar Kraki.
Ai ka theksuar se raporti evidenton përpjekjet sistematike të Serbisë për ta zvogëluar përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet lokale si dhe praktikën e pasivizimit të adresave.
“Aty thuhet se Serbia në mënyrë sistematike, të organizuar, synon dhe arrin uljen e prezencës së shqiptarëve në institucionet lokale përfaqësuese. Aty përmendet po ashtu pasivizimi i adresave, që është realisht një spastrim etnik me letra”, ka thënë ai.
Kraki ka bërë dallimin mes përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së komuniteteve në institucionet e Kosovës dhe trajtimit që, sipas tij, Serbia u bën shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
