Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar procesin e votimit me postë për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës ende pa u certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të raundit të parë për Kryetarë të Komunave.
Sipas KQZ-së, kjo periudhë e votimit (27 tetor – 8 nëntor 2025) do të vlejë vetëm për 29,712 shtetasit e Republikës së Kosovës që janë regjistruar me sukses si votues jashtë vendit gjatë afatit të përcaktuar për regjistrim (23 korrik – 29 gusht 2025).
KQZ ka njoftuar se ka filluar votimi për raundin e dytë në 18 komuna, të cilat, sipas rezultateve ende të pacertifikuara, janë pjesë e balotazhit, si: Gjakovë (3,141), Gjilan (2,066), Dragash (2,770), Kaçanik (1,149), Klinë (2,230), Fushë Kosovë (489), Mitrovicë e Jugut (1,188), Obiliq (220), Rahovec (1,902), Pejë (1,895), Prishtinë (1,727), Prizren (2,870), Suharekë (3,325), Viti (1,970), Vushtrri (1,019), Junik (1,363), Mamushë (356) dhe Kllokot (49).
Aktualisht, KQZ ka shpallur rezultatet përfundimtare për 35 komuna, 15 prej të cilave janë pjesë e listës në të cilat ka filluar votimi me postë jashtë Kosovës, ndërkaq 3 të tjera, si Prishtina, Juniku dhe Mamusha, ende s’kanë rezultat përfundimtar për shkak të ankesave në PZAP.
Pra, procesi zgjedhor i raundit të parë, ende nuk është i përfunduar plotësisht. Kjo ndodhë me certifikimin e rezultateve përfundimtare.
