Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpjeguar se çfarë do të ndodhë pas përfundimit të numërimit të fletëvotimeve përmes postës dhe fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe atyre nga votimi i personave me nevoja të veçanta.
I pyetur nëse KQZ do të shpallë rezultatet përfundimtare menjëherë pas përfundimit të numërimit të këtyre fletëvotimeve, Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar se kjo mund të bëhet nëse nuk do të ketë ankesa lidhur me administrimin e numërimit në QNR. Por, nëse do të ketë ankesa, atëherë KQZ-së do t’i duhet të presë shqyrtimin e tyre.
“Natyrisht se pas përfundimit të numërimit të të gjitha këtyre fletëvotimeve, KQZ do të presë afatin e ankesave lidhur me administrimin e numërimit në QNR, pasi palët kanë të drejtë të dorëzojnë ankesa brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar. Në rast se nuk do të ketë ankesa, KQZ është e gatshme për të proceduar me shpalljen e rezultateve përfundimtare, ndërsa nëse do të ketë ankesa, atëherë KQZ do të presë vendimmarrjen e institucioneve përkatëse dhe do të zbatojë vendimet nëse ato e obligojnë KQZ-në”, tha Elezi.
Sipas tij, aktualisht KQZ është në fazën përmbyllëse të numërimit të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit përmes postës. Ashtu siç kemi planifikuar, numërimi i të gjitha fletëvotimeve nga ky votim do të bëhet në mesjavë dhe gjithashtu në numërim do të përfshihen edhe fletëvotimet nga votimi me kusht dhe nga votimi i personave me nevoja të veçanta.
