Me 10 vota për, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi konkluzionet dhe rekomandimet e dala nga punëtoria për mësimet e nxëna nga zgjedhjet lokale 2025 dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2025, duke hapur diskutimin për ndryshime të mundshme në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe reforma në procesin zgjedhor.
Anëtari i KQZ-së nga PDK-ja, Ilir Gashi, tha se i mbështet rekomandimet në parim, por shprehu rezerva për propozimet që kërkojnë ndryshime kushtetuese dhe për çështjen e numrit të kandidatëve në lista, duke theksuar se këto tejkalojnë kompetencat e KQZ-së.
“Në fakt parimisht mbështes rekomandimet për të cilat ne që së bashku kemi punuar për me ardhë në këto përfundime. Kam disa rezerva në nja tri çështje të cilat faktikisht i konsideroj ndoshta që nuk janë në domenin tonë. E para, kemi një rekomandim i cili kërkon ndryshime kushtetuese, për çka po besoj që është jashtë domenit tonë dhe i përket ligjvënësve me vendosë. Dhe ne e dimë që Parlamenti i Kosovës nuk ka mujt me ndryshu Ligjin për Zgjedhje Lokale, mos të flasim me hy në ndryshime kushtetuese ku i referohet kërkesës që fletëvotimet të jenë në 6-vjet e jo nga 30 në 45 sa është kushtetuta aktualisht. Çështja tjetër është te numri i kandidatëve në listë. Edhe kjo po besoj që ne jemi organ i cili administron procesin zgjedhor dhe ju përket subjekteve politike. Ato janë aktorët kryesorë në proces zgjedhor dhe vendosin nëse dojnë të kenë 10 kandidatë, pesë apo një. Nuk mund të paragjykojmë, kam rezervë në këtë rekomandim”, tha ai.
Ai vuri theksin te nevoja për fokusim në ndryshime që mund të bëhen pa ndërhyrje ligjore, sidomos te leximi elektronik i fletëvotimeve dhe identifikimi elektronik i votuesve, ndërsa propozoi edhe votimin e hershëm për kategori të caktuara.
“Tek skanimi i fletëvotimeve dhe leximi optik i fletëvotimeve, si dhe identifikimi i votuesve në vendvotim në mënyrë elektronike, është shumë mirë si rekomandim dhe po besoj që këto dyja do të futen edhe në planin e punës të cilën shpejt do ta kemi edhe përfundimtar. Pastaj një pikë të cilën, një propozim i imi i cili nuk e shoh këtu që figuron. Kjo nuk do të thotë që në qoftë se do të kemi përpjekje për ndryshime ligjore, unë do ta adresoj edhe përmes ndryshimeve ligjore që është votimi i hershëm, që unë konsideroj që Republika e Kosovës duhet të ketë votim të hershëm veçmas për disa kategori të shoqërisë tonë, sepse kjo pastaj do ta bënte një proces më të mirë zgjedhor në Kosovë dhe mos të ballafaqohemi me problemet të cilat veç janë përsëritë disa herë, sidomos për njerëzit me nevoja të veçanta, qoftë ata të cilët nuk dinë shkrim-lexim apo edhe kategori të tjera të shoqërisë. Prandaj, i kam këto kaq rezerva sa i përket miratimit të këtyre rekomandimeve dhe po besoj që në rekomandime të tjera ne, kryesues, po gjithë ne duhet të fokusohemi kryesisht tek ndryshimet që na sanksionojnë të kemi ndryshim në rregullat tona të brendshme edhe punë që ne mund t’i bëjmë pa ndryshime ligjore. Në qoftë se do të ketë ndryshime ligjore atëherë është një çështje tjetër, por nuk mund t’i mbajmë peng ato ndryshime, kështu që fokusohemi në ato çka është më rëndësi e kryesisht dy më të rëndësishmet janë: leximi elektronik i fletëvotimit dhe identifikimi i votuesve në vendvotim me procedura elektronike”, tha ai.
Anëtari nga VV-ja, Sami Kurteshi, deklaroi se rekomandimet janë produkt i diskutimeve profesionale dhe se KQZ-ja e ka për detyrë të japë rekomandime, pavarësisht nëse ato janë obligative apo jo, duke theksuar dallimin mes rekomandimeve profesionale dhe kërkesave administrative.
