Nga 23 korriku kur Komisioni Qendror i Zdhjedhjeve hapi periudhën e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, deri sot në ora 09:00 KQZ-ja ka pranuar 1 mijë e 729 aplikime, nga të cilat janë aprovuar 1 mijë e 239.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha për RTKlive se periudha e aplikimit do të zgjasë deri më 29 të këtij muaji, derisa ka treguar arsyet pse refuzohet një aplikues.
“Deri më tani (e diel, 3 gusht, ora 09:00) përmes platformës elektronike janë pranuar 1,729 aplikime për regjistrim për votim me postë, prej të cilave janë aprovuar 1,239, ndërkaq janë refuzuar 490. Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk kanë paraqitur njërin nga dokumentet që dëshmon adresën e tij jashtë Kosovës: dokument identifikues në të cilin është e shënuar adresa e banimit, vërtetim i adresës nga autoriteti lokal, kontratë të qirasë, faturë shërbimesh, dokument i lëshuar nga banka apo kompania e sigurimit, dokument që dëshmon adresën e personit tek i cili qëndrojnë përkohësisht, dëshmi tjetër banimi për rastet specifike (rezervim hoteli, konvikti etj.)”, sqaroi Elezi.
Por, zëdhënësi i KQZ-së ka thënë se procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës nuk është përjashtues. Kjo, pasi që, sipas tij, një aplikues i refuzuar mund të riaplikojë pasi t’i ketë plotësuar kriteret e kërkuara nga KQZ-ja.
“Në rastet kur refuzohet një aplikim, ky nuk është refuzim përfundimtar. Në këto rrethana, KQZ do të informojë rregullisht dhe personalisht aplikuesit e refuzuar për arsyet e refuzimit të kërkesës së tyre dhe se do të mund të ri-aplikojnë përmes platformës për regjistrim duke bashkëngjitur dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së. Kjo do të mundësohet gjatë kohës sa zgjatë periudha e regjistrimit”, sqaroi tutje Elezi.
Por, në komunat ku potencialisht mund të ketë balotazh, a duhet të bëhet sërish regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës?
