Kosova do të përballet me mot kryesisht të qëndrueshëm gjatë javës, me intervale me diell, vranësira të shpërndara dhe temperatura të ulëta në orët e mëngjesit.
Në disa zona të vendit, të hënën mund të ketë riga të dobëta shiu, ndërsa të martën dhe të mërkurën pritet të krijohen kushte për mjegull.
Sipas parashikimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), nga sot deri të premten, temperaturat minimale do të lëvizin kryesisht nga zero deri në katër gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të arrijnë deri në 15 gradë.
Java do të nisë me mot me diell dhe vranësira të shpërndara.
Sot, temperaturat minimale do të jenë nga një deri në katër gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga nëntë deri në 12 gradë. Në disa pjesë të vendit nuk përjashtohen reshjet e dobëta të shiut.
Të martën dhe të mërkurën do të vazhdojë moti me diell dhe vranësira të herëpashershme. Temperaturat e mëngjesit do të zbresin deri në zero gradë Celsius, ndërsa gjatë ditës pritet të arrijnë deri në 14 gradë. Mjegulla mund të paraqitet në orët e para të ditës, veçanërisht në zonat ku krijohen kushtet e përshtatshme atmosferike.
Të enjten parashihet mot me diell dhe vranësira të shpërndara, me temperatura maksimale nga 11 deri në 14 gradë Celsius.
