Çmimet e prodhimit dhe të importit në Kosovë kanë shënuar rritje në tremujorin e dytë të vitit 2025. Indeksi i përgjithshëm i çmimeve të prodhimit u rrit me 4,1% krahasuar me tremujorin e parë. Edhe çmimet e importit janë rritur për 1,6% krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti.
Kosova po përballet me një tjetër valë shtrenjtimesh. Të dhënat më të fundit tregojnë se si çmimet e prodhimit, ashtu edhe ato të importit, janë ngritur ndjeshëm gjatë tremujorit të dytë të vitit 2025, duke reflektuar presionin e vazhdueshëm ekonomik në tregun vendor.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, indeksi i përgjithshëm i çmimeve të prodhimit u rrit për 4,1% krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti, ndërsa në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar u shënua një rritje prej 11,3%.
Sektorët që kanë pasur ngritjet më të mëdha janë energjia elektrike, gazi dhe furnizimi me ajër të kondicionuar, me rritje mbi 16% brenda vitit dhe gati 40% krahasuar me vitin e kaluar.
Po ashtu, më të shtrenjta janë bërë veshjet, mobiliet, shtypja e mediave të incizuara, farmaceutika dhe prodhimi i mjeteve motorike.
Krahasimi TM2 2025 – TM1 2025
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ngritjet më të mëdha të çmimeve janë shënuar te:
energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar (+16,7%), shtypja dhe riprodhimi i mediave të incizuara (+9,3%), prodhimi i veshjeve (+6,7%), prodhimi i mjeteve motorike, rimorkiove dhe gjysmë-rimorkiove (+4,2%), prodhimi i produkteve metalike të fabrikuara, përveç makinerive dhe pajisjeve (+2,5%). Rritje më të lehta janë regjistruar edhe në sektorët e përpunimit të ushqimit (+0,8%), nxjerrjes së xehes së metalit (+0,3%), prodhimit të pajisjeve elektrike (+0,3%), tekstilit (+0,2%) dhe produkteve të gomës e plastikës (+0,1%).
Megjithatë, këto rritje u neutralizuan pjesërisht nga rëniet e çmimeve në disa sektorë, si:
prodhimi i metaleve (-4,7%), menaxhimi i mbeturinave (-3,5%), prodhimi i makinerive e pajisjeve të tjera (-1,0%), prodhimi i pijeve (-0,9%). Krahasimi TM2 2025 – TM2 2024
Në raport me tremujorin e dytë të vitit 2024, çmimet e prodhimit kanë shënuar ngritje mesatare prej 11,3%. Degët me rritjen më të lartë janë:
energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar (+39,7%), përpunimi i produkteve dhe preparateve farmaceutike (+14,2%), prodhimi i mobilieve (+13,0%), prodhimi i mjeteve motorike e rimorkiove (+10,3%), menaxhimi i mbeturinave dhe rikuperimi i materialeve (+8,8%), prodhimi i veshjeve (+7,0%). “Ngritjet më të mëdha sipas degëve të veprimtarive ekonomike vërehen te: energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar (16,7%); shtypja dhe riprodhimi i mediave të incizuara (9,3%); prodhimi i veshjeve (6,7%); prodhimi i mjeteve motorike (të transportit), rimorkiove dhe gjysmë-rimorkiove (4,2%); prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve (2,5%); prodhimi tjetër p.k.t. (1,9%); prodhimi i letrës dhe produkteve prej letrës (1,6%); prodhimi i drurit dhe i produkteve të drurit dhe të tapës, përveç mobilieve: prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gërshetuara – thurëse (1,4%); përpunimi i produkteve ushqimore (0,8%); nxjerrja e xehes së metalit (0,3%); prodhimi i pajisjeve elektrike (0,3%); prodhimi i tekstilit (0,2%); prodhimi i produkteve të gomës dhe të plastikës (0,1%)”.
Nga ana tjetër, disa industri kanë përjetuar ulje të çmimeve, përfshirë prodhimin e metaleve, nxjerrjen e xehes së metalit, prodhimin e pijeve dhe menaxhimin e mbeturinave.
Por, çmimet e prodhimit në Kosovë u ngritën në një mesatare prej 11,3% ndërmjet TM2 2025 dhe TM2 2024. Ngritje më të mëdha sipas degëve të veprimtarive ekonomike vërehen te: energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar, përpunimi i produkteve dhe preparateve farmaceutike.
Krahas këtyre rritjeve të çmimeve vendore, një rritje shtrenjtim tjetër është vërejtur edhe tek çmimet e produkteve të importit.
