Edhe pse ende pa statusin e vendit kandidat, Kosova do të përfshihet në kornizën e ardhshme financiare së bashku me të gjitha shtetet tjera që janë pjesë e procesit të zgjerimit.
Komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, ka sqaruar se pavarësisht mungesës së statusit formal, Kosova do të përfitojë nga fondet financiare.
“Sa i përket Kosovës, ajo do të mbetet pjesë e këtyre instrumenteve financiare. Siç e dini, Kosova është tashmë pjesë edhe e Planit të Rritjes”, theksoi ajo.
Komisioni Evropian prezantoi të mërkurën kornizën shumëvjeçare financiare — dokumentin më të rëndësishëm buxhetor të këtij institucioni. Janë propozuar 2 trilionë euro për periudhën 2028–2034.