Nga vota e qytetarëve të Kosovës do të zgjidhen gjithsej 38 kryetarë komunash dhe anëtarët e 38 kuvendeve komunale.
Ka mbetur edhe një javë deri kur qytetarët e Republikës së Kosovës do të kenë mundësinë të zgjedhin kryetarin e komunës ku jetojnë dhe anëtarët e kuvendeve komunale.
Më 12 tetor, kutitë e votimit do të jenë të hapura për verdiktin qytetar – zgjedhjet e tetat me radhë për kuvendet komunale dhe të gjashtat për kryetarë komunash.
Nga vota e shtetasve të Kosovës do të zgjidhen gjithsej 38 kryetarë komunash dhe anëtarët e 38 kuvendeve komunale.
Vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 12 tetor u mor në muajin qershor të këtij viti nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pas konsultimeve me partitë politike dhe në përputhje me afatet kushtetuese e ligjore.
Këto zgjedhje vijnë në një kohë kur institucionet qendrore janë përballur me sfida pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025, pasi parlamenti ende nuk ka zgjedhur kryetarin dhe nuk është formuar qeveria e re.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po vazhdon përgatitjet teknike për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Sipas të dhënave të Listës Votuese, 2.025.105 qytetarë do të votojnë në vendvotimet brenda territorit të Republikës së Kosovës, ndërsa 43.993 votues janë regjistruar për të votuar përmes postës nga jashtë vendit.
