Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cilësoi sot si “të tmerrshme” deklaratën e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunoviq, për spastrimin etnik të Kosovës, duke thënë se nuk mund ta imagjinojë që ajo të vazhdojë të ushtrojë funksionin e ministres pas një deklarate të tillë publike.
“Ishte e tmerrshme të dëgjohej diçka e tillë në vitin 2026. Nuk do ta përsëris atë që tha. Nuk mund ta imagjinoj që një ministre të vazhdojë ta kryejë detyrën e saj pas një deklarate të tillë publike”, tha Marta Kos, duke iu përgjigjur pyetjeve të eurodeputetëve gjatë diskutimit në Komisionin e Parlamentit Evropian për Mburojën Demokratike Evropiane (EUDS), raporton gazeta serbe “Danas“, transmeton Klankosova.tv.
Ajo vlerësoi se retorika politike ndikon drejtpërdrejt në mbështetjen për integrimin evropian dhe kritikoi narrativat anti-BE që, sipas saj, prej vitesh promovohen në opinionin publik.
“Është e papranueshme që një vend kandidat të përdorë retorikë anti-evropiane. Bashkimi Evropian është akuzuar prej vitesh se organizon protesta dhe ndërhyn në çështjet e brendshme të Serbisë, por kjo thjesht nuk është e vërtetë”, deklaroi ajo.
