Dy kongresistë amerikanë do të zhvillojnë sot takime të ndara me përfaqësues të Lëvizjes Studentore shqiptare dhe me liderë të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Mediat në RMV bëjnë të ditur se në fokus të takimit të kongresistëve Keith Self dhe Suhas Subramanyam, do të jenë shqetësimet lidhur me, siç vlerësohet nga pjesëmarrësit, përpjekjet për rrënimin e frymës së Marrëveshjes së Ohrit dhe cenimin e të drejtave të shqiptarëve, shkruan A2 CNN .
Sipas informacioneve të mediave në Maqedoni, takimi pritet të zhvillohet në orën 17:30 në Prishtinë, ku aktualisht janë dy kongresistët amerikanë. Në takim do të marrë pjesë edhe Mevlan Ademi së bashku me përfaqësues të studentëve që kanë organizuar protestat e fundit për mbrojtjen e përdorimit të gjuhës shqipe dhe zbatimin e të drejtave kushtetuese e ligjore.
Burime nga organizatorët për mediat maqedonase bëjnë të ditur se studentët do të paraqesin shqetësimet e tyre lidhur me moszbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, si dhe paralajmërimet për, sipas tyre, kthim prapa në raport me të drejtat e fituara pas Marrëveshjes së Ohrit.
