Dy kongresistët amerikanë, Keith Self dhe Suhas Subramanyam, do ta vizitojnë Kosovën gjatë kësaj jave.
Lajmin e ka bërë të ditur organizata Albanians for America, e cila thotë se vizita do realizohet me kërkesë të tyre.
Delegacioni do të qëndrojë për vizitë nga data 26 deri më 28 maj 2026, në Kosovë dhe në Luginën e Preshevës.
Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, kongresistët do të zhvillojnë takime me institucionet shtetërore të Kosovës, autoritetet ndërkombëtare të sigurisë, liderë lokalë dhe përfaqësues të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Vizita ka për qëllim forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, diskutimin e zhvillimeve të sigurisë rajonale, si dhe mbështetjen e të drejtave dhe pozitës së shqiptarëve në rajon”, thuhet në njoftim.
Në kuadër të vizitës në Kosovë, kongresistët do të zhvillojë takime me përfaqësuesit e institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe me autoritetet amerikane dhe ndërkombëtare të sigurisë në Camp Bondsteel, baza kryesore e forcave amerikane në Kosovë.
Delegacioni do të zhvillojë gjithashtu takim edhe me përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave.
Pas vizitës në Kosovë, kongresmenët do të qëndrojnë në Luginën e Preshevës, ku do të zhvillojë takim me Këshillin Kombëtar Shqiptar, përfaqësues politikë shqiptarë dhe drejtuesit e komunave të Preshevës dhe Bujanocit, me fokus në të drejtat e shqiptarëve në Luginë, zhvillimet politike dhe sfidat me të cilat përballet komuniteti shqiptar në këtë pjesë të rajonit.