Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Komuna ka iniciuar padi ndaj Ministrit të Financave në detyrë, Hekuran Murati, dhe tre zyrtarëve të tjerë përgjegjës, për shkak të bllokimit të buxhetit të Ndërmarrjes Publike “Gjelbër”.
Sipas Ramës, kjo bllokadë ka shkaktuar vonesa të gjata në pagesat e punëtorëve dhe po dëmton shërbimet publike jetike të kryeqytetit. Ai e ka cilësuar veprimin si të pajustifikueshëm, të paligjshëm dhe me prapavijë të qartë politike.
“Sot prita në takim përfaqësuesit e ndërmarrjes, të cilëve me shqetësim dhe mirëkuptim të thellë njerëzor u shpjegova situatën e krijuar. Kjo bllokadë po dëmton jo vetëm punëtorët, por edhe shërbimet ndaj qytetarëve. Për këtë arsye kemi ndërmarrë hapa ligjorë ndaj Ministrit Murati dhe zyrtarëve përgjegjës”, ka deklaruar Rama.
