Komuna e Mitrovicës së Jugut, e udhëhequr nga kryetari Faton Peci, gjatë ditës së martë ka rrënuar një objekt pranë Stacionit të Autobusëve në këtë qytet, me arsyetimin se objekti nuk kishte leje ndërtimore.
Pronari i objektit, Fikret Rrahmani, ka rrëfyer se çfarë ka ndodhur, duke thënë se rrënimi ka ardhur si pasojë e çështjeve politike.
Sipas Rrahmanit, ndonëse kishte leje ndërtimi, ai vazhdimisht është penguar në punën e tij. Ai thotë se e gjithë kjo ka qenë e motivuar politikisht, për shkak se vëllai i tij ka punuar si sigurim i ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli.
“I kam paguar qiranë stacionit, jam parapagues i rregullt dhe jam pajisur me kontratë afatgjate. Në muajin e parë të vitit 2024, me këtë kontratë kam shkuar në komunë dhe kam bërë kërkesë për t’u pajisur me leje ndërtimi, të cilën ma kanë mundësuar. I kam bërë kërkesë stacionit që sipërfaqja të zgjerohet nga 41.25 metra në 64.80 metra dhe kjo më është mundësuar. Me atë kontratë kam shkuar në komunë dhe jam pajisur me leje ndërtimi për 64.80 metra. Mirëpo, kur kam ardhur për të filluar punimet, për ta ekzekutuar projektin, më kanë penguar dhe më kanë hequr shtesën që ma kishin bërë, duke më kthyer në metrat që i kisha më parë. Edhe ashtu më kanë penguar, dhe kjo ka ardhur si pretekst për hakmarrje politike, për shkak të vëllait tim që ka qenë sigurim i Kadri Veselit.” – ka thënë Rrahmani për Nacionalen.
“Më kanë thënë të bëj korrigjim të lejes, duke i tërhequr metrat shtesë për t’u kthyer në metrat që i kisha më herët. Unë kam bërë kërkesë, por nuk është marrë parasysh dhe më pas ma kanë revokuar lejen krejtësisht.” – ka shtuar ai.
Rrahmani ka treguar se ka bërë edhe padi në gjykatë, si dhe disa ankesa, por sipas tij, asnjëra nuk është marrë parasysh.
