Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit ka votuar pro hapjes së konkursit për 3 anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Me propozimin e deputetit të LVV-së Vigan Qorrolli edhe pse nuk ishte në rend dite u shtua si pikë kjo çështje.
“Në vijimësi të disa vakanteve institucionale si pasojë e mungesës së konstituimit të mirëfilltë sipas zgjedhjeve të vitit 2025, kemi një kërkesë që është deponuar në maj të vitit 2025 të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për shpalljen e konkursit për plotësimin e një vendi vakant, si pasojë e dorëheqjes të një kandidati të mëhershëm që ka ushtru funksionin në Këshillin Gjyqësor. Për momentin kemi një vend vakant në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, andaj në bazë të të gjitha autorizimeve që në i gëzojmë si komision për legjislacion kërkoj që të futet pikë e rendit të ditës Shpallja e konkursit për një vend të KGJK-së”, tha Qorrolli.
Ndërkaq Përparim Gruda si kryetar i këtij komisioni nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës theksoi se janë 3 pozita të lira, 1 shqiptar edhe 2 minoritete.
Po ashtu komisioni ka caktuar deputeten Arjeta Rexhepi, anëtare të Komisionit Qeveritar për Njohjen e Statusit të ish të burgosurve, të dënuarve dhe të përndjekurve politik.
Shtyhet për një mbledhje tjetër Shqyrtimi dhe miratimi i Planit të Punës së Komisionit për sesionin pranveror.
