Komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, është takuar në Tiranë me shefin e Mbrojtjes së Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingji.
Sipas njoftimit të KFOR-it, takimi u zhvillua në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të misionit me partnerët rajonalë.
Gjatë takimit, të dy zyrtarët diskutuan për bashkëpunimin operacional dhe komunikimin, duke riafirmuar përkushtimin e KFOR-it për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Në njoftim, KFOR-i thekson se do të vazhdojë të kontribuojë në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe në rajonin më të gjerë, në përputhje me mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të vitit 1999.