Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, po qëndron në një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po zhvillon takime të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit ushtarak dhe avancimin e kapaciteteve të FSK-së.
Gjatë kësaj vizite, delegacioni i FSK-së, i udhëhequr nga gjenerallejtënant Jashari, mori pjesë në panairin vjetor të industrisë së mbrojtjes “AUSA Annual Meeting & Exposition”, i mbajtur në Uashington D.C. Ky aktivitet, me mbi 700 ekspozues dhe përfaqësues nga më shumë se 100 shtete, ofron mundësi për njohjen me teknologjitë më të fundit ushtarake dhe zhvillimet në industrinë e mbrojtjes
Sipas njoftimit, pjesëmarrja në këtë panair synon të kontribuojë në procesin e modernizimit të FSK-së dhe në ngritjen e kapaciteteve të saj operacionale.
Bëhet e ditur se në kuadër të vizitës, gjenerallejtënant Jashari zhvilloi një takim në Pentagon me zëvendësndihmës sekretarin e Luftës për Luftë Jokonvencionale, Colby C. Jenkins. Gjatë takimit u diskutuan çështje të rëndësishme të sigurisë, bashkëpunimit dypalësh në fushën e operacioneve speciale dhe fusha të tjera me interes të përbashkët.

