Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave: S.K., A.K., F.F., L.A., A.F., dhe D.G., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 i KPRK-së, ndërsa ndaj A.K., edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 sipas KPRK-së.
Sipas aktakuzës, i pandehuri S.K., më 29 janar 2026, në Suharekë, pa autorizim dhe me qëllim të shitjes dhe shpërndarjes, ka poseduar substancë narkotike të llojit marihuanë. Gjatë kontrollit janë sekuestruar 30 qese me marihuanë dhe mbetje të kësaj substance, të cilat sipas ekspertizës forenzike rezultuan të përmbajnë kanabis (THC), me peshë neto të përgjithshme prej rreth 26.60 gram. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” sipas KPRK-së.
I pandehuri A.K., nga shtatori 2025 deri më 29 janar 2026, në Suharekë, pa autorizim ka shpërndarë dhe ofruar për shitje substanca narkotike të llojit kokainë. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar rreth 465 gramë marihuanë dhe rreth 3.3 gramë kokainë, si dhe një substancë e lëngët e dyshuar narkotike, peshore digjitale, grinder dhe para në shumë prej 2,200 euro. Sipas ekspertizës së Agjencisë Kosovare për Forenzikë, mostrat e sekuestruara rezultuan të përmbajnë kanabis dhe kokainë. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” të KPRK-së.
Po ashtu, i njëjti në lokalin e tij në Suharekë, ka mbajtur pa autorizim një pistoletë të tipit M57, një karikator dhe katër fishekë të kalibrit 7.62 mm, në kundërshtim me Ligjin për Armët. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” KPRK-së.
