Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar ashpër ndaj Dhomave të Specializuara në Hagë, duke i cilësuar ato si një “gjykatë speciale raciste” dhe duke pretenduar se themelimi i saj ishte bërë nën presion dhe kërcënime ndërkombëtare.
Sipas KMDLNJ-së, Gjykata Speciale ka devijuar nga qëllimi fillestar për të siguruar drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi për shkeljet e së drejtës humanitare, duke vepruar, sipas tyre, mbi baza etnike dhe duke ndjekur penalisht vetëm shqiptarët.
Në reagim thuhet se gjykata ka shkelur parimet e transparencës, prezumimit të pafajësisë dhe të drejtën për gjykim brenda një afati të arsyeshëm, ndërsa kritikohet edhe refuzimi i vazhdueshëm i kërkesave për masa më të lehta ndaj të paraburgosurve pas përfundimit të paraqitjes së provave dhe fjalëve përmbyllëse.
