Artan Abrashi nga Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar opozitën se po bllokon institucionet dhe po e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja. Abrashi tha se në kushte normale do të duhej të diskutohej për të arriturat e qeverisë dhe proceset e rregullta shtetërore pas zgjedhjeve, por sipas tij, vendi po përballet me krizë të vazhdueshme politike.
“Nuk ka dyshim këtu. AAK-së i urojmë suksese. I duhet një punë e madhe. Me të drejtë, në kushte normale është dashur me kanë tu diskutu për të arriturat e qeverisë, proceset e rregullta normale që i kalon një vend sidomos mas një procesi zgjedhor që përfundoi para disa muajsh. Jemi këtu për zgjedhje të parakohshme”, deklaroi ai.
Sipas Abrashit, dështimi për zgjedhjen e presidentit është pjesë e një skenari të opozitës për ta bllokuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe institucionet e Kosovës.
“Dështimi i zgjedhjes së presidentit është hapi i radhës që fatkeqësisht opozita e ka në skenarin e saj me blloku VV duke e bllokuar shtetin e Kosovës”, u shpreh Abrashi në emisionin “Debat Plus” në TV Dukagjini.
