Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale ndaj ish-ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, për çështjen e rezervave shtetërore.
Në një postim në Facebook, Kica-Xhelili ka thënë se ky rast nuk ka të bëjë vetëm me Hajdarin, por edhe me kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje.
Ajo kujtoi se Komisioni Hetimor Parlamentar për rezervat shtetërore ishte sabotuar për gjashtë muaj nga Vetëvendosja, përmes mungesës së kuorumit, mosvotimit të dokumenteve dhe pengesave të tjera që, sipas saj, kishin për qëllim mbulimin e skandalit.
Sipas deputetes, procesi i blerjes së rezervave shtetërore ishte negociuar nga persona të afërt me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe se përfshirja e Kurtit ishte vendimtare në çdo hap të këtij procesi.
