Pas një kohe të gjatë, KFOR ka vendosur të reduktojë praninë e vetë mbi Urën e Ibrit, duke filluar kështu transferimin gradual të përgjegjësisë tek Policia e Kosovës. Kjo për shkak të konstatimit nga KFOR, se gjendja në terren ka përmirësime.
Por, ajo që mbetet e panjohur deri tash është edhe sa do të qëndrojnë mbi urë ushtarakët e NATO’s, ku tashmë ka filluar të shihet edhe prania e policisë së Kosovës.
Nga Bashkimi Evropian në një përgjigje për Gazetën Express kanë përsëritur se NATO i ka njoftuar për vendimin e tyre për modifikimin e pranisë mbi Urën e Ibrit, por se i takon pikërisht NATO’s të vendos se kur do të lëviz.
“Për pozicionimin e misionit të NATO-s në Kosovë i takon NATO-s të vendosë” theksojnë nga BE.
Sa i përket çështjes së hapjes së Urës, BE potencon se pozicioni i Brukselit ka qenë gjithmonë i qartë dhe i udhëhequr nga nevoja për t’u siguruar se i shërben të gjitha komuniteteve dhe komunave që i lidh dhe që kontribuon në bashkëpunim dhe raporte të mira mes tyre.
Ditë më parë, BE ka thënë se me përmbylljen e konsultimeve të aspektit të sigurisë janë përmbushur kushtet për hapjen e urës. Këtij qëndrimi në ndërkohë i ishte shtuar kërkesa për konsultime shtesë.
Në njoftimin e fundit të lëshuar nga KFOR, admirali i Komandës në Napoli George Wikoff ka theksuar se KFOR nuk ka mandat që të përcaktojë se a duhet hapur ura apo jo.
“Kjo i takon BE’së dhe institucioneve relevante në Kosovë për të vendosur, pasi KFOR ta përmbyll praninë e përhershme në urë” ka thënë Wikoff
“Personeli i KFOR do të mbetet në hapësirat përreth” ka shtuar ai.
Por, pikërisht koha se kur KFOR do të largohet nga ura mbetet e paqartë. Në Serbi, nga vetë kreu i shtetit Aleksandar Vuçiq po përmendet data 1 shtator. Vuçiq madje po përpiqet të parandalojë këtë zhvillim. Ai tashmë ka theksuar se i ka shkruar letër Sekretarit Gjeneral të NATO’s dhe se po pret një përgjigje nga ai. Zyrtarisht në Kosovë askush s’e ka përmendur ndonjë afat.


