Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka reaguar me shqetësim ndaj vendimit të Shteteve të Bashkuara për të pezulluar për një periudhë të pacaktuar Dialogun Strategjik me Kosovën, duke e cilësuar këtë veprim si të rrezikshëm për raportet dypalëshe dhe për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Në një deklaratë për mediat, KASH i bën thirrje kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti – si fitues i zgjedhjeve të 9 shkurtit – dhe forcave të tjera politike, që të tejkalojnë ndarjet dhe të bashkëpunojnë për të mbrojtur interesat kombëtare, si dhe për të rivendosur marrëdhëniet me SHBA-në në fushat kyçe të mbrojtjes, sigurisë dhe ekonomisë.
“Kosova është ndër vendet më pro-amerikane në botë, me një angazhim të qartë ndaj paqes, demokracisë dhe vlerave euroatlantike. Pezullimi i dialogut me Prishtinën, ndërkohë që avancon dialogu me Beogradin, jep një mesazh të gabuar dhe rrezikon të destabilizojë rajonin, duke i dhënë hapësirë ndërhyrjes së Serbisë përmes Listës Serbe”, thuhet në deklaratë.
Këshilli e cilëson të padrejtë që një shtet që ka qenë ndër partnerët më të qëndrueshëm të SHBA-së të penalizohet në këtë mënyrë, ndërsa sipas tij, Serbia – e cila po afrohet gjithnjë e më shumë me Kinën, Rusinë dhe Iranin – përfiton nga një trajtim më i butë.
