Me nisjen e fjalëve përfundimtare në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë, Prokuroria ka kërkuar dënime prej nga 45 vjetësh për secilin nga të akuzuarit, ndërsa monitoruesit e procesit kanë theksuar rëndësinë e vlerësimit individual të provave dhe aplikimit të ligjit më të favorshëm.
Avokati Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK), ka sqaruar për Ekonomia Online se procedura parasheh që fillimisht fjalët përfundimtare t’i paraqesë Prokuroria, më pas pala e dëmtuar dhe në fund mbrojtja, duke shtuar se Prokurorja Speciale në hyrje të paraqitjes ka bërë një përmbledhje të asaj që do të prezantohet gjatë orëve të argumentimit dhe ka përmendur kërkesën që secili nga të akuzuarit të dënohet me nga 45 vjet burg.
“Po, siç e dini, sot kanë filluar fjalët përfundimtare të palëve në procedurë dhe, siç e kërkon procedura, fillohet me paraqitjen e fjalëve fillimisht nga Prokuroria, pala e dëmtuar dhe pastaj nga mbrojtja. Në fjalën hyrëse, në fjalën përfundimtare apo në pjesën e parë të kësaj fjale, Prokurorja Speciale e ka bërë një përmbledhje të shkurtër se çka do të pasqyrojnë dhe prezantojnë prokurorët në, gjatë këtyre orëve të parashtrimit të fjalës përfundimtare. Dhe në mesin e informatave, ajo e ka cekur se ka kërkuar që secili të dënohet nga 45 vite, s’paku ashtu është përkthyer në gjuhën shqipe, dhe sigurisht që Prokuroria pretendon dhe këmbëngul që t’i mbron akuzat me të cilat i ka ngarkuar katër të pandehurit”, tha ai.
Alija tha se në rast se gjykata gjen prova fajësuese, ajo ka obligim të aplikojë parimin “Lex Mitior”, pra ligjin më të favorshëm për të akuzuarit në momentin e shqiptimit të dënimit, duke pasur parasysh edhe praktikën ndëshkimore për krimet e luftës.
Ai sqaroi se në gjykatat vendore dënimet kanë lëvizur nga pesë deri në 15 vjet burgim, ndërsa në Tribunalin e Hagës nga 14 deri në 22 vjet, kryesisht për eprorë të forcave serbe, duke shtuar se ligji i RSFJ-së, që ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprave, konsiderohet më i favorshëm për sa i përket dënimeve.
“Po në rast se gjykata do të gjen provat fajësuese, me të cilat i ngarkon Zyra e Prokurorisë, sigurisht që gjykata e ka për obligim që ta aplikon parimin Lex Mitior, pra ligjin më të favorshëm me rastin e aplikimit të, e aplikimit të dënimit. Po ashtu, gjykata duhet ta ketë parasysh edhe praktikën ndëshkimore për këto vepra penale. Pra, lidhur me krimet e luftës, deri më tani janë krijuar dy praktika; pra e kemi praktikën nga gjykatat vendore, të cilën e zbatojnë gjykatat nacionale, po ashtu edhe kemi praktikën ndëshkimore të TPNJ-së (Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë). Për veprat penale të cilat ndërlidhen, me krimet e luftës, dhe personat të cilët janë gjykuar për këto vepra penale qoftë pranë gjykatave vendore apo pranë Tribunalit të Hagës, politika ndëshkimore ka shkuar në gjykatat vendore prej 5 deri në 15 vite burgim; tekTribunali i Hagës politika ndëshkimore ka shkuar prej 14 vite deri në 22 vite, ku kryesisht eprorët apo përgjegjësit të forcave serbe janë dënuar me këto, me kaq vite burgim. Tani sigurisht që ligji i cili ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale ka qenë ligji i RSFJ-së, i cili është ligji më i favorshëm me rastin e aplikimit të dënimeve për personat të cilët gjykohen për këto vepra penale”, tha ai.
Sipas tij, procesi është karakterizuar nga një nivel i lartë mbrojtjeje të dëshmitarëve të Prokurorisë dhe seanca të redaktuara për publikun, gjë që ka krijuar vështirësi për monitoruesit dhe mediat në ndjekjen e plotë të procedurës.
