Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati është kërcënuar me pushtakim, nga një qytetar në profilin e tij “Facebook”.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë ai, teksa tregoi se kjo kërkesë për pushkatim erdhi një profil me emrin Eqerem Avdullahu.
“Ky DERR duhet pushkatu”, thuhet në komentin e tij kundrejt Gucatit.
“Përballë gjuhës së ulët që qarkullon në rrjete sociale, heshtja nuk është opsion, jo sepse ato fjalë peshojnë, por sepse opinioni publik duhet të shohë dallimin mes atyre që dhanë gjithçka për këtë tokë dhe atyre që guximin e vetëm e kanë pas një ekrani. Sot, pikërisht më 3 qershor, mbushen plot 27 vite nga dita kur jam plagosur rëndë në Malet e Berishës, duke luftuar ballë për ballë me armikun për lirinë e Kosovës. Shenjat në trupin tim janë dëshmitare të asaj kohe kur vendosej fati i atdheut, ashtu siç ishte edhe përballja ime me dinjitet në Hagë për të mbrojtur pastërtinë e Luftës Çlirimtare.
Është e lehtë të kërkosh “pushkatime” virtuale sot në liri, një liri që u pagua me gjak e sakrifica. Unë mbetem ai që kam qenë gjithmonë, me ballin lart, i palëkundur dhe krenar për rrugën që kemi kaluar”, ka thënë në reagimin e tij kreu i OVL-UÇK-së.
GazetaDemos merr vesh nga burimet e afërta, se Gucati e ka denoncuar rastin në Polici, teksa organet e rendit janë duke u marrë me hetime fillestare.
Ky nuk është rasti i vetëm që kërcënohet me jetë kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
“Gezim Bashota po më kercënon me burg ose me varje në litar, por nuk do të ndalem asnjëherë në mbrojtjen e interesave të veteranëve. Edhe nëse duhet të protestoj, do ta bëj pa hezitim, sepse është e drejtë e çdokujt të kërkojë dhe të mbrojë ato që u takojnë. Shikoni komentet e disa individëve, që më akuzojnë se jam i paguar nga Serbia dhe kërkojnë burgosjen dhe varjen time. Nuk do të lejojmë që këto fyerje të na ndalin, sepse ne luftojmë për të drejtat e atyre që e meritojnë respektin dhe nderimin!”, pati deklaruar rreth para pesë muajve Gucati.