Një avion i kompanisë ajrore Austrian Airlines, që po fluturonte nga Tel Avivi drejt Vjenës, bëri ulje emergjente në Sofje të Bullgarisë të dielën, pas një kërcënimi me bombë, njoftuan autoritetet bullgare.
Avioni i tipit Airbus A320 u ul i sigurt në aeroportin e Sofjes, me 51 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit në bord, pasi raportohet se kishte marrë një kërcënim me bombë pranë kufirit mes Bullgarisë dhe Rumanisë.
“Gjatë fluturimit, në kufirin me Rumaninë, ekuipazhi raportoi një sinjal për kërcënim me bombë dhe vendosi të ulej në Sofje në mënyrë të jashtëzakonshme”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë bullgare të Transportit.

