Gazetari Adriatik Kelmendi ka reaguar ashpër pas dështimit të formimit të institucioneve dhe zhvillimeve në seancat e fundit të Kuvendit, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për kokëfortësi dhe mungesë të vullnetit politik për kompromis.
Në një postim në Facebook, Kelmendi pyeti pse VV nuk u ul në tryezë me LDK-në dhe partitë tjera për të diskutuar mundësinë e një Qeverie Kalimtare, madje edhe me Glauk Konjufcën si kryeministër, nëse interesimi i tyre ishte aq i madh për stabilitetin, marrëveshjet ndërkombëtare dhe shmangien e humbjeve buxhetore.
“LDK ishte fer,” shkroi ai, duke rikujtuar se kjo parti kishte propozuar një qeveri të përkohshme me 15 prioritete të mëdha shtetërore, për t’u tejkaluar bllokadat. Sipas Kelmendit, Vetëvendosje refuzoi çdo diskutim dhe, përkundër paralajmërimeve, provoi “kundërkushtetutshëm dhe me kokëfortësi” zgjedhjen e kryetares së Kuvendit 57 herë, çka ai e quajti “luftë për rekord të zi të Ginisit”, ka shkruar Kelmendi.
