Pas deklaratës së Kryeministrit në detyrë Albin Kurti se do ta prezantojë kabinetin e ri qeveritar më së largu më 26 tetor në Kuvend, mbetet e paqartë nëse ai i ka numrat e mjaftueshëm për ta formuar Qeverinë e re.
Lidhur me këtë çështje, Indeksonline ka kontaktuar shefen e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, e cila ka bërë të ditur se brenda javës do të nisin bisedimet për krijimin e qeverisë, por ka theksuar se nuk do të ketë bashkëpunim me dy parti specifike.
“Gjatë javës kemi me filluar bisedat për formimin e Qeverisë. Ka pasur bisedime fillestare por jo diçka specifike. Sa i përket bashkëpunimit me subjektet tjera politike, kemi qëndrimin se nuk bashkëpunojmë me dy parti, në këtë rast, bëhet fjalë për PDK-në dhe Listën Serbe,” ka deklaruar Kusari-Lila.
Ajo ka shtuar se për bashkëpunime eventuale me LDK-në dhe partitë tjera, vendimet do t’i marrë vetë Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje si mandatar për formimin e Qeverisë.
“Ndërsa me të tjerët mbetet me shiquar a ka vullnet për bashkëpunim apo jo. Sa i përket ftesave, për LDK-në dhe të tjerët duhet të flasë dhe të vendosë vetë Kurti dhe LVV-ja si mandatar për formimin e Qeverisë’’
E pyetur nëse janë të gatshëm për zgjedhje të reja në rast se nuk krijohet Qeveria, Kusari-Lila u shpreh se kjo do të ishte zgjidhja më e mirë për situatën aktuale politike në vend.
