Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar ashpër ndaj përpjekjeve për të çuar përpara zgjedhjen e Presidentit pa përmbushjen e kuorumit të kërkuar kushtetues, duke paralajmëruar se një veprim i tillë cenon drejtpërdrejt rendin kushtetues dhe funksionimin e demokracisë parlamentare në vend.
Në reagimin e tij, KDI thekson se vendimet dhe praktika e Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kanë sqaruar qartë standardin që duhet ndjekur për zgjedhjen e Presidentit.
Sipas këtij standardi, procedura kërkon pjesëmarrjen e së paku dy të tretave të të gjithë deputetëve në dy raundet e para të votimit, ndërsa vetëm pas përmbushjes së këtij kushti mund të vazhdohet në raundin e tretë.
Sipas KDI-së, çdo tentativë për të anashkaluar këtë rend kushtetues dhe për të zgjedhur Presidentin me një numër të kufizuar deputetësh në sallë përbën shkelje të hapur të Kushtetutës dhe deformim të parimeve themelore kushtetuese.
